Slide AGROTURIZEM GJEPALI
Një vend që është menduar gjatë për t’u kthyer në destinacion turistik për njerëzit që duan kulinarinë dhe udhëtimet.  Agroturizëm Gjepali është trashëgimi e një historie të gjatë prej 6 gjeneratash, ku është punuar dhe trashëguar dashuria për tokën dhe ushqimin.  Familja jonë ka qenë gjithmonë e lidhur me tokën.  Të parët e mi e kanë trajtuar atë me dashuri duke e punuar dhe duke marrë prej saj më të mirën e mundshme. E kanë konsideruar si pasuri e cila prodhon vetëm të mira. 
Vitet ’40 kanë shënuar kulmin e prodhimtarisë, kur edhe gjyshi, Elez Gjepali ka zotëruar hapësirë të konsiderueshme territoriale. Ai ka patur një hapësirë të gjerë me pemë frutorë, ferma ka qenë e pasur edhe me kafshë, si lopë, dele, buallica dhe shpend të ndryshme.
E imagjinoni? Ka qenë një ndër fermat më të mëdha dhe më të famshme të Shqipërisë së Mesme. Më pas, për shkak të rrjedhës që mori vendi dhe mënyrës së qeverisjes ato toka nuk ishin më të tonat dhe ferma u shpërbë. Pas viteve ’90, familja, im At dhe më pas unë, gjithmonë kemi patur dëshirë që në një farë mënyre të rindërtojmë atë ‘parajsë” që dikur e kishim. Ishte babai ai që në mënyrë të heshtur, vite më parë, filloi dalëngadalë duke mbjell pemë, duke ndërtuar stallën për rritjen e kafshëve dhe duke mbjell kultura të ndryshme bujqësore. Tre vite më parë vendosa ta rikthej atë fermë gjigante, për të gjithë miqtë që duan të kalojnë një ditë ndryshe, dhe të shijojnë një nga ushqimet më të mira në vend.  Së bashku me familjen time kemi punuar intensivisht për ndërtimin e Agroturizëm Gjepali. Eksperienca dhe njohurit që kam marrë jashtë vendit, tashmë mund t’i ndërthur me traditën në tokën e të parëve të mi.  Tashmë me një eksperiencë të gjatë si shef kuzhinë në Romë (Antico Arco) dhe i nderuar me dhjetëra çmime në mbarë botën, kam kënaqësinë të drejtoj edhe Agroturizëm Gjepali. Në vitin 2018 u certifikuam si Agroturizëm dhe jemi mes 14 në historinë e Shqipërisë Agroturistike. Në pak muaj, ky vend është kthyer në destinacion të turizmit rural. Të presim edhe ty, për të provuar  shijen unike që vjen nga Shqipëria. www.agroturizemgjepali.com