sqiten
Home / Curiosities / Momente nga një ngjarje e bukur në Tiranë

Momente nga një ngjarje e bukur në Tiranë

Javën e kaluar në Expocity Albania u organizua edicioni i tretë i panairit “Food & Drink Festival”.

Panair i cili i dedikohet industrisë së ushqimit, pijes dhe verës ishte i fokusuar në ruajtjen e traditës, krijimin e një platforme promovimi të zhvillimeve më të fundit të këtij sektori, duke ofruar jo vetëm një hapësirë ekspozimi, por edhe aktivitete të tjera argëtuese.

Tre ditët e panairit u shoqëruan me aktivitete të ndryshme si degustime vere dhe produktesh të veçanta, show kulinarie, workshops rreth risive të sektorit te ushqimit dhe pijeve, benefitet e ushqimit organik dhe të shëndetshëm, si dhe oferta dhe e ulje speciale për produkte të veçanta.

Unë pata kënaqësinë të merrja pjesë në këtë panair nëpërmjet një show gatimi, ku për të gjithë të pranishmit realizova një pjatë të veçantë ku shumica e të pranishmëve patën mundësinë ta ndiqnin nga afër mënyrën e realizimit dhe më pas e shijuan  atë.

Është kënaqësi kur njeh nga afër prodhuesit në Shqipëri dhe informohesh dhe produkteve të tyre. Në vendin tonë ka mjaft njerëz të cilët i kanë kushtuar jetën prodhimit të produkteve ushqimore dhe pijeve dhe organizimi i panaireve të tilla i jep atyre mundësin të ekspozohen ndaj publikut, të njihen me njëri tjetrin dhe të shkëmbejnë eksperiencat mes tyre.

Gjithashtu, nëpërmjet një paneli specialistësh diskutuam rreth potencialit të sektorit të ushqimit, i cili me pak vëmendje mund të shndërrohet në një “minierë ari” për këdo që punon në këtë fushë.

Së bashku me Shef Dorin Bellin e restorantit “Aba 21”, Dhurata Thanasin e “Lugës së Argjendtë”, Ervis Xhafën nga Bashkia Shijak, Silva Manan nga AGA & EON Partners dhe Dashamir Elezin, presidentin e somelierisë shqiptare, rrahëm disa mendime se si mund të përmirësohet fusha e kulinarisë në Shqipëri, çfarë mund të bëhet më mirë dhe si mund të ndihmohet.

Personalisht, tregova eksperiencën time dhe mënyrën se si e ndaj jetën mes Romës, ku jam shef në Restorantin Antico Arco dhe Tiranës, pasi në Padam kam realizuar një nga ëndrrat e mia; të drejtoj një restorant të klasit të lartë e të shoh vazhdimisht turistë të huaj që ndalen në këtë restorant.

Gjatë një interviste në TVSH
Gjatë një interviste në TVSH

Shumë shpejt do të takohemi edhe në Shijak, pasi atje, në tokat e të parëve të mi jam duke ndërtuar një fermë për agroturizëm.

Nëse ke ëndrra dhe i ke idetë e qarta e ke më të lehtë rrugën drejt tyre. Sigurisht nuk është e thjesht, por mundimi një ditë shpërblehet. Unë ndihem më fat që po ndjek ëndrrat e mia dhe nuk ka më bukur se sa të ecës në rrugën drejt tyre.

Inkurajoj të gjithë ata që kanë një ide në fushën e kulinarisë dhe agroturizmit, të ndjekin ëndrrat e tyre. Ne kemi një tokë të bekuar me një klimë fantastike që duhet ta shfrytëzojmë, në të kundërt e kemi çuar dëm.

Falënderoj organizatorët e këtij festivali, Aida Lutaj, CEO Expocity Albania që më ftoi dhe më bëri pjesë të kësaj ngjarje të rëndësishme në fushën e kulinarisë dhe pijeve. Falënderoj ata që më ndoqën në show-n tim të gatimit, bashkëpunëtorët e mi dhe këdo që më ka shkruar këto ditë në rrjetet sociale.

Mezi pres organizmin e radhës!

Faleminderit!

 

 

About Editor Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × three =