sqiten
Home / Curiosities / Aroma e “Kallmetit” dhe mjeshtrit e verës në Tiranë

Aroma e “Kallmetit” dhe mjeshtrit e verës në Tiranë

 

 

Vera është për shpirtin, ajo që uji është për trupin. E kush nuk e shijon një gotë verë të mirë…. Por, që ta shijosh verën deri në gllënjkën e fundit duhet ta njohësh mirë atë, që nga ngjyra, shija, intensiteti. Por sigurisht, kjo është më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u bërë. Nuk është se jemi të gjithë somelierë a mjeshtër vere dhe shumë shpesh e gjejmë veten të endemi kuturu në sektorin e verërave në market duke zgjedhur verën me shishe të bukur por që na zhgënjen me një shije të keqe apo atë që është në ofertë dhe duket si uthull më shumë sesa verë.

Ndaj,  më vjen mirë që u  gjenda në një aktivitet të rëndësishëm për sa i përket verës, disa ditë më parë. Bëhet fjalë për kampionatin “Sommelieri më i mirë shqiptar 2017”.

Ata që hynë në garë ishin 9 konkurrentë : Ersol Caco, Irdi Lushi, Aldiola Lama, Myzafer Provinaj, Bujar Kurti, Saimir Ndreka, Evis Isufaj, Gevin Gjoka, Evald Domi, të cilët demonstruan aftësitë e tyre profesionale jo vetëm në shijimin dhe përshkrimin e verërave, por edhe në atë të birrave artizanale dhe të kafesë. Surpriza e gjysmëfinales ishte edhe degustimi i “Kallmetit Prestigj” 2015 ku konkurrenti më i mirë në përshkrim dhe në njohjen më të saktë ishte zoti Ersol Caco.

Ah Kallmeti! Jemi me fat që kemi një kantinë të tillë në Shqipëri.

Ndërsa gjatë degustimit të birrës konkurruesit përshkruan jo vetëm karakteristikat e saj, por edhe një gatim shqiptar në përshtatje me birrën.

E nesërmja  ishte emocionuese. Dihet, ku ka garë ka edhe rrahje të forta zemre! Do të shpalleshin finalistët e konkursit, ku Juria teknike e përbërë edhe nga mjeshtrit botërorë të enogastronomisë, Prof. Celeste Di Lizio – kryetare e Jurisë; Prof. Somm. Rudy Rinaldi; Prof. Somm. Peer F.Holm; Prof. Somm. Dashamir Elezi; përveç Somm. Dritan Beqiri; Somm. Silvana Hyseni dhe Enol. Ernest Melani, vlerësoi që në finale do vazhdonin konkurrimin z. Irdi Lushi, z. Bujar Tukuli dhe z. Ersol Caco.

Finalja u zhvillua nëpërmjet publikut pas një shorte rastësor se kush do ishte i pari, ku sigurisht konkurrentët nuk duhet të kishin njohuri për mënyrën e zhvillimit.

Duhet theksuar se finalja u zhvillua në gjuhë zyrtare të ASI (me zgjedhje ndërmjet anglisht, frengjisht ose spanjisht) dhe konkurrentët ia dolën mbanë.

Vlerësimit të provave të zhvilluara nga gjithsecili prej konkurrentëve. Juria vendosi që vendin e parë dhe fituesi i konkursit “Sommelieri më i mirë shqiptar 2017” të jetë z. Bujar Tukuli, vendi i dytë për z.Irdi Lushi dhe vendi i tretë për z. Ersol Caco i cili ishte gjithashtu edhe degustuesi më i mirë i verës “Kallmet Prestigj” 2015, çmim ky që i jepet nga prodhuesi i kantinës “Kallmeti” në Lezhë.

E gjithë kjo garë u kurorëzua me një mbrëmje Gala e cila mbajt  në restorant “Piazza” në Tiranë ku morën pjesë mbi 100 të ftuar te ndryshëm, titullarë institucionesh dhe biznesesh shumë të suksesshëm të vendit. Në këtë mbrëmje autoritete të ndryshëm ndanë çmimet dhe vlerësuan punën e deritanishme të Sommelierisë Shqiptare në jetën shoqërore të vendit.

Këto aktivitet janë shumë të rëndësishëm edhe motivues, jo vetëm për ata që studiojnë enologji, por edhe për prodhuesit e verës. Sa më afër t’i qëndrojmë njëri-tjetrit, aq më shumë rezultat dhe punë pozitive do të kemi në fund.

Urimet më të mira për organizatorët dhe fituesit!

 

About Editor Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − 3 =